![]() |
Ahmet Nexhdet Sezer u betua për një mandat shtatë-vjeçar si Presidenti i 10të i Turqisë më 16 maj 2000 për të zëvendësuar Sulejman Demirel. Një gjyqtar reformator, i cili ia përkushtoi të gjithë jetën e tij të punës profesionit ligjor, Sezer nuk kërkoi funksionin presidencial. Udhëheqësit e partive parlamentare e emëruan atë për këtë funksion, pasi nuk arritën mirëkuptim mbi një kandidat. Kështu Sezer, i njohur si një njeri me ndershmëri personale dhe me respekt të thellë për shtetin e së drejtës, u bë presidenti i parë turk që merr funksionin pa qënë as një politikan aktiv, as një oficer i lartë ushtarak.
Sezer, i lindur më 13 shtator 1941 në qytetin Afjon, përfundoi shkollën e mesme në qytetin e tij të lindjes më 1958. Ai u diplomua për drejtësi nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Ankarasë më 1962 dhe mori një gradë master në të drejtën civile më 1978. Gjatë kësaj kohe, ai shërbeu si gjyqtar në Ankara, përfundoi shërbimin e tij ushtarak në Akademinë e Forcave Tokësore dhe iu kthye karrierës profesionale të tij duke shërbyer si gjyqtar në qytetin Dicle dhe më pas si gjyqtar mbikqyrës në Gjykatën e Lartë të Apeleve në Ankara.
Më 7 mars 1983, Sezer u zgjodh në Gjykatën e Lartë të Apeleve dhe më 27 shtator 1988 Kenan Evren, president i Turqisë në atë kohë, e emëroi atë për të shërbyer në Gjykatën Kushtetuese, gjykata më e lartë e Turqisë. Më 6 janar 1998 Sezer u zgjodh Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Më 5 maj 2000, pas këshillimeve të gjata dhe të pafrytshme mbi një kandidat presidencial, udhëheqësit e të pesë partive në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke ranë dakord të emërojnë Sezer për funksionin e Presidentit që po largohej Sulejman Demirel.
Ndërsa betohej, Sezer premtoi të mbrojë me çdo kusht institucionet laike të Turqisë, paqen shoqërore dhe tërësinë territoriale. Një mbështetës i vendosur i mbizotërimit të ligjit dhe demokracisë, ai tha, "Nëse nuk heqim dorë nga elementët që i ngjajnë një shteti policor, nuk mund të përmbushim kërkesat e të qënit një shoqëri moderne." Ai premtoi gjithashtu të luftojë kundër korrupsionit, duke theksuar se asnjë nuk mund të jetë mbi ligjin dhe bëri thirrje për përpjekje më të fuqishme në përshpejtimin e pranimit të vendit në BE.
"Vendi ynë, i cili nuk mund të qëndrojë i izoluar, duhet të integrohet me vlerat e qytetërimit të pranuara nga Bashkimi Europian. Suksesi ynë në fushat e mbizotërimit të ligjit dhe demokracisë do të shtojë respektueshmërinë tonë në bashkësinë e kombeve modernë," tha presidenti i ri.
Sezer është i martuar dhe ka tre fëmjë