![]() |
Gunter Verheugen u emërua Komisioner i BE-së për Zgjerimin më 15 shtator 1999, kur Parlamenti Europian votoi për Presidentin Romano Prodi dhe ekipin e tij prej 19 komisionerësh në zyrën e Komisionit Europian.
Verheugen lindi më 28 prill 1944 në Bad Kreuznah, Gjermani. Pasi shërbeu për dy vjet si stazhier për gazetën Neue Rhein-Neue Ruhr-Zeitung ai studjoi histori, sociologji dhe politikë në Kolonjë dhe Bon nga viti 1965 deri më 1969.
Në fillim të karrierës së tij Verheugen ishte kreu i seksioneve të marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Brendshme Federale nga viti 1969 deri më 1974. Pastaj ai u emërua kreu i Njësisë së Analizave dhe Informacionit në Zyrën e Jashtme Federale, një funksion që ai e mbajti deri më 1976.
Nga viti 1977 deri më 1978 Verheugen ishte Administrator Federal i Partisë së Lirë Demokratike (FDP) dhe nga viti 1978 deri më 1982, Sekretar i Përgjithshëm i FDP-së.
Më 1982 ai u largua nga FDP për t'u bashkuar me Partinë Social-Demokratike (SPD) të qëndrës të Gjermanisë. Nga viti 1983 deri më 1999 ai ishte anëtar i Bundestagut gjerman dhe si i tillë shërbeu në shumë komitetete të Bundestagut: Komiteti për Çështjet e Jashtme (1983-98); Kryetar i Komitetit të Posaçëm të BE-së (1992); dhe anëtar i Komitetit për Çështjet e Jashtme (1994-97).
Si anëtar i SPD-së, Verheugen shërbeu si zëdhënës i Ekzekutivit Kombëtar të SPD-së nga (1986-87); administrator federal i partisë (1993-95); zëvendëskryetar i SPD-së, Grupit Parlamentar për Politikën e Jashtme, të Sigurisë dhe Zhvillimit (1994-97); dhe anëtar i Ekzekutivit Kombëtar të SPD-së (1997).
Verheugen shërbeu gjithashtu si kryeredaktor i gazetës Vorwärts të SPD-së nga viti 1987 deri më 1989 dhe si kryetar i Këshillit të Transmetimit Radiofonik Deutsche Welle nga 1990 deri më 1999.
Më 1997, ai u zgjodh kryetar i Këshillit Ndërkombëtar Socialist për Paqe, Siguri dhe Çarmatim. Më 1998 ai u emërua minister i shtetit në Zyrën e Jashtme Federale, një funksion të cilin ai e mbajti deri në shtator 1999, kur u zgjodh anëtar i Komisionit Europian, përgjegjës për zgjerimin.
Sipas Verheugen, zgjerimi i BE-së është një shans për arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm dhe sigurisë në Europë dhe një proces, i cili do të forcojë integrimin Europian. "Bashkëpunimi më i ngushtë në fushat e policisë, sigurisë dhe mbrojtjes do t'a pajisi më mirë një BE të zgjeruar kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar. Prandaj zgjerimi së pari dhe mbi të gjitha nënkupton: rritjen e stabilitetit ekonomik dhe politik dhe rritjen e sigurisë për Europën dhe qytetarët e saj," tha ai.