![]() |
Ish-Zëvendëskancelari austriak Erhard Busek mori funksionin e Koordinatorit të Posaçëm të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore më 1 janar 2002.
Më 1963 ai u diplomua për drejtësi në Universitetin e Vienës. Ai e filloi karrierën profesionale të tij më 1964, duke shërbyer si këshilltar ligjor pranë organizatës së parlamentarëve të Partisë Popullore Austriake. Pas vitit 1968, Busek punoi në funksione të ndryshme, përfshirë sekretar i përgjithshëm i Federatës Austriake për Tregtinë dhe Biznesin; sekretar i përgjithshëm i Partisë Popullore Austriake; zëvendëskryetar i bashkisë së Vienës; ministër i Shkencës dhe Kërkimeve dhe Ministër i Arsimit.
Më 1991, ai u zgjodh kryetar i Partisë Popullore Austriake. Busek ishte zëvendëskancelar i Austrisë nga viti 1991 deri më 1995. Ai ka qënë drejtor i Kolegjit Austriak që në prill 2000.
Më 12 nëntor 2001, ministrat e jashtëm të BE-së e emëruan Busek për të pasuar diplomatin gjerman Bodo Hombah si Koordinator i Posaçëm i Paktit të Stabilitetit. Në kohën e emërimit të tij, Busek ishte redaktor i gazetës së përmuajshme Wiener Journal, kryetar i Institutit për Danubin dhe Europën Qëndore, anëtar i Komitetit mbi Arsimit të BE-së dhe koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim të Europës Juglindore (SECI).
Busek ka dhënë shumë leksione mbi çështje të ndryshme të politikës së jashtme dhe të brendshme dhe në kohën kur u bë Koordinator i Posaçëm i Paktit të Stabilitetit, Busek ishte profesor i jashtëm i Praktikës së Studimeve mbi Politikën Publike në Duke University dhe bashkëkryetar i Komisionit mbi Politikën e Radios dhe Televizionit: Europa Qëndrore dhe Lindore.
Në mars 2002, Busek paraqiti përpara ministrave të jashtëm të BE-së politikën dhe prioritetet operative të Paktit të Stabilitetit për këtë vit, duke theksuar nevojën për një rritje të pronësisë rajonale të Paktit dhe efektshmëri më të madhe të projekteve të zhvillimit, si dhe duke premtuar më shumë rezultate dhe më pak fjalë. Ai gjithashtu sugjeroi një ndryshim në politikë -- në vend të projekteve të mëdha me zbatim të ndërlikuar dhe afatgjatë, Busek preferonte të shihte projekte më të vegjël dhe konkretë, të cilët mund të zbatohen shpejt dhe që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar. Disa prej përparësive të tjera që përmblodhi Busek përfshinin zgjidhjen e problemeve energjitike dhe kufitare dhe nxitjen e kthimit dhe integrimit të refugjatëve. Koordinatori i ri i posaçëm gjithashtu i bëri thirrje BE-së të krijojë një "itinerar të qartë" për integrimin e shteteve të Ballkanit në BE.
Busek, i lindur më 25 mars 1941 në Vienë, është autor i shumë botimeve dhe i është akorduar titulli i nderit doktor Honoris Causa nga disa universitete, përfshirë Universitetin Polak të Krakovit dhe Universitetin Sllovak të Bratisllavës.