Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Nikola Gruevski

Kryeministri i Maqedonisë

(BBC - 29/08/06; Makfax - 25/08/06; AP, Makfax - 15/08/06; Official Web Site of the Macedonian Government; Wikipedia; SEE Online)
photo

Nikola Gruevski[Getty Images]

Kryeministri maqedonas mori detyrën më 26 gusht 2006, mbasi partia e tij e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE fitoi në fillim të korrikut zgjedhjet parlamentare.

Gruevski ka lindur më 31 gusht 1970 në Shkup. Ai u diplomua në ekonomi në Fakultetin e Ekonomisë në Prilep në 1994 dhe më vonë përfundoi një kurs diplomimi në Institutin e Produkteve të Bursës, Londër. Ai filloi karrierën e tij profesionale në 1995, kur ai u bashkua me Bankën Ballkanike në Shkup. Ai më vonë u bë shefi i departamentit të likuiditetit financiar të këtij institucioni.

Në dhjetor 1999, Gruevski u emërua ministër i financave në qeverinë e VMRO-DPMNE të drejtuar nga Ljubko Xhorxhievski. Arritjet gjatë afërsisht tre vjetëve të tij në detyrë përfshijnë futjen në përdorim në vendin e tij të TVSH-së dhe zbatimin e reformave financiare, duke përfshirë masat që kishin për qëllim luftën e evazionit fiskal.

Gruevski është anëtar i ACI – Shoqatës të Tregjeve Financiare dhe FOREX KLUB të Maqedonisë.

Pasi VMRO-DPMNE humbi zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2002 ndaj Bashkimit Social Demokrat të Maqedonisë, pasuan muaj grindjesh politike brenda partisë. Gruevski u shfaq si lideri i ri i partisë, duke zëvendësuar Xhorxhievskin në maj 2003.

Mbas gati katër vjet në opozitë, VMRO-DPMNE dhe aleatët e saj të koalicionit Për Një Maqedoni Më Të Mirë dolën të parët në zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut 2006, duke fituar 44 kandidatura në parlamentin prej 120 anëtarësh.

Mbas javë konsultimesh, drejtuesi VMRO-DPMNE formoi një koalicion prej katër partish – Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH), Partia e Re Social Demokrate (NSDP), Partia Socialiste (SP) dhe Partia Liberale (LP).

“Prioriteti i qeverisë është rimëkëmbja ekonomike,” deklaroi Gruevski më 15 gusht mbasi dorëzoi në parlament propozimin për hartimin e kabinetit të tij. “Kjo do të jetë një rrugë e gjatë, e vështirë dhe e dhimbshme, por ne kemi një ekip njerëzish të aftë dhe të ndershëm të cilët do të përpiqen maksimalisht.”

Prioritete të tjera që ai theksoi ishin përshpejtimi i procesit të integrimit Euro-Atlantik të Maqedonisë dhe lufta ndaj papunësisë dhe varfërisë. Gruevski po ashtu premtoi përpjekje të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gruevski flet anglisht dhe ka disa njohuri mbi frengjishten dhe gjermanishten. Ai është i martuar.