![]() |
Stjepan Mesiç [shpesh i quajtur Stipe Mesiç] u zgjodh president i Republikës së Kroacisë më 7 shkurt 2000, duke pasuar Franjo Tuxhman, vdekja e të cilit shkaktoi zgjedhjet. Mesiç, një politikan i qendrës, pro-europian dhe pro-NATO-s, premtoi të ishte e kundërta e parardhësit të tij autokratik dhe nacionalist.
Mesiç lindi më 24 dhjetor 1934 në qytetin e Orahovicës. Ai u diplomua për drejtësi në Universitetin e Zagrebit më 1961, ku ishte një udhëheqës i mirënjohur studentor.
Ai e filloi karrierën e tij politike si anëtar i parlamentit të Republikës Socialiste të Kroacisë. Në fillim të viteve 1970, kur Josip Broz Tito ishte në pushtet në Jugosllavi, Mesiç u burgos për një vit, për nxitje të nacionalizmit kroat.
Në fillim të viteve 1990, Mesiç hyri në Bashkimin Demokratik Kroat (HDZ) të Franjo Tuxhman e shpejt u bë sekretar i saj dhe më pas kryetar i Komitetit Ekzekutiv të HDZ-së.
Në zgjedhjet e para shumë-partiake më 1990, HDZ erdhi në pushtet dhe Mesiç u emërua kryeministri i parë i Kroacisë. Me vendim të parlamentit kroat, ai u bë anëtari i republikës në presidencën jugosllave deri në shpërbërjen e federatës në dhjetor 1991. Mesiç do të hyjë në histori si presidenti i fundit i ish-Jugosllavisë.
Më 1992, Mesiç u zgjodh kryetar i parlamentit të Kroacisë së pavarur. Ai u shkarkua nga funksioni më 1994, pasi u largua nga HDZ për të formuar një parti të re -- Demokratët e Pavarur Kroatë (HND). Ky hap pasqyron pakënaqësinë e Mesiç me HDZ dhe me mënyrat jodemokratike të Tuxhmanit, veçanërisht politikën e tij të ndërhyrjes në Bosnje-Hercegovinë.
Më 1997, HND u nda dhe Mesiç u bashkua me Partinë Popullore Kroate të qëndrës. Ai u bë zëvendëspresidenti ekzekutiv i partisë, por u largua nga partia pasi u zgjodh, duke thënë se dëshironte të ishte president i të gjithë kroatëve.