![]() |
Havier Solana u caktua për një mandat të dytë pesëvjeçar si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së dhe si Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme të Përbashkët dhe Sigurinë (CFPS) në korrik të vitit 2004. Ai ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm të Bashkimit Evropian Perëndimor (WEU) që prej nëntorit 1999.
Solana u lind në 14 korrik 1942 në Madrid, Spanjë. Djali i një familje të shquar spanjolle, ai fitoi një doktoraturë në fizikë dhe ka qenë një studiues Fulbright i disa universiteteve të SHBA-së. Ai dha mësim në fizikën e gjëndjes së ngurtë në Universitetin e Complutense Madrid para se të hynte në politikë.
Solana, i cili u bashkua me Partinë Socialiste Spanjolle, ishte i njohur si një radikal në rininë e tij nën regjimin e Gjeneralit Francisko Franko. Ai ka qenë një anëtar i parlamentit spanjoll që prej vitit 1977.
Solana ka mbajtur një numër postesh ministrore në katër qeveritë e drejtuara nga drejtuesi socialist spanjoll Felipe Gonzales midis viteve 1982 dhe 1996. Ai ishte ministri i kulturës nga dhjetori 1982 deri në korrik 1988, duke punuar dhe si zëdhënës i qeverisë gjatë gjysmës së dytë të kësaj periudhe. Solana shërbeu pastaj si ministër i edukimit dhe shkencës nga korriku 1988 në korrik 1992, kur ai u bë ministër i punëve të jashtme për një qeveri të vendosur pro-NATO në Madrid. Ai u largua nga ai post në dhjetor të vitit 1995, kur ai u bë sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Gjatë kohës së Solanës si shefi i Aleancës u karakterizua nga një periudhë intensive e përfshirjes së NATO-s në Ballkan. Brenda disa ditëve mbas marrjes së detyrës së tij të re, Forca e Zbatimit (IFOR) e drejtuar nga NATO u dërgua në Bosnje-Hercegovinë (BH) për të forcuar aspektet ushtarake të marrëveshjeve të paqes të Dejtonit. Gjatë krizave të Kosovës, NATO drejtoi sulmet ajrore kundër Serbisë në pranverën e vitit 1999. Në korrik të vitit 1997, ai drejtoi mbjedhjen e NATO-s në Madrid ku Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia u bënë shtetet e para ish-komuniste që u ftuan të fillojnë bisedimet për t’ju bashkuar Aleancës të mëtejshme prej 16 shtetesh.
"Ai është një ndërtues i jashtëzakonshëm i konsensusit i cili punon pas skenave me drejtuesit në të dyja anët e Atlantikut për të siguruar që NATO të jetë e bashkuar kur është e nevojshme,” tha për Solanën ambasadori i SHBA-së në NATO Aleksandër Vershbou në atë moment.
Në tetor të vitit 1999, Solana u largua nga NATO për tu bërë sekretar i përgjithshëm i BE-së dhe “përfaqësuesi i lartë” i parë i saj për CFSP, me detyrë paraqitjen e ideve dhe analizës së mundësive të politikës për të ndihmuar drejtuesit e BE-së të bien dakort mbi çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke i dhënë në këtë mënyrë Bashkimit më shumë pushtet politik në çështjet ndërkombëtare.
Gjatë mbledhjes së dhjetorit 2003 të BE-së në Bruksel, kryetarët e shteteve dhe qeverive të 15 shteteve anëtare miratuan njëzëri dokumentin e parë zyrtar të strategjisë së sigurisë, i hartuar nën përgjegjësinë e Solanës. Strategjia Evropiane e Sigurisë prej 14 faqesh përmblidhte trajtimin e kërcënimeve të largëta si dhe atyre të afërta dhe ndërtimin e sigurisë me fqinjët e Evropës si një nga objektivat thelbësor të përpjekjeve të BE-së për të mbrojtur sigurinë e saj dhe për të promovuar vlerat e saj. Dokumenti theksonte gjithashtu që BE nuk po kërkonte të prishte aleancën me Amerikën e Veriut.
Solana është shefi i Agjencisë së Mbrojtjes Evropiane, e cila është krijuar në korrik të vitit 2004 në përpjekje për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes evropiane në fushën e menaxhimit të krizave dhe për të mbështetur politikën e sigurisë dhe mbrojtjes evropiane.
Ai përfaqëson gjithashtu BE-në dhe Kuartetin e Lindjes së Mesme -- grupin prej katër anëtarësh të përfshirë në ndërmjetësimin e procesit të paqes në konfliktin Izrael-Palestinë dhe që përfshin gjithashtu OKB-në, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Solana është gjithashtu një anëtar i Kapitullit Spanjoll i Klubit të Romës.
Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.