Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Nikola Spiric

Kryeministër i Bosnje-Hercegovinës

(DPA, Fena, Xinhua; AP, AKI, Hina, Fena; Faqja zyrtare e qeverisë së BH; BBC; Wikipedia)
photo

Dhoma e Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës (BH) votoi më 11 janar 2007, për emërimin e boshnjakut serb Nikola Spiriç të Aleancës të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) si kryeministri i ri i vendit. Ai zëvendësoi Adnan Terziç i Partisë Myslymane për Veprim Demokratik (SDA), kryeministri i parë në vend që prej përfundimit të konfliktit të viteve 1992-1995, për të shërbyer për një mandat katërvjeçar.

Spiriç u emërua në këtë post nga presidenca trepalëshe e BH-së më shumë se tre muaj mbas zgjedhjeve të përgjithshme të 1 tetorit 2006.

I lindur më 4 shtator 1956 në Drvar në BH perëndimore, Spiriç përfundoi gjimnazin në Sarajevë, ku ai përfundoi gjithashtu studimet e tij universitare dhe pasuniversitare. Ai u diplomua në ekonomiks nga Fakulteti i Ekonomiksit i Universitetit të Sarajevës në vitin 1980 dhe po ashtu mban titullin e masterit dhe doktoraturës në ekonomiks. Teza e tij e doktoraturës është në financat monetare dhe publike.

Spiriç u bë pjesë e Fakultetit Ekonomiks të Universitetit të Sarajevës në vitin 1980, duke punuar si studiues deri në vitin 1992. Ai u bë pastaj një lektor në financat monetare dhe publike në Universitetin e Banja Lukës.

Ai filloi karrierën e tij politike në vitin 1990, kur ai u zgjodh anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BH-së, duke luajtur këtë rol për dhjetë vjet. Në vitin 2000, Spiriç u caktua zëvendës-ministër i të drejtave të njeriut dhe refugjatëve në qeverinë qendrore të BH-së. Nga viti 2001 deri në vitin 2006, ai shërbeu si kryetar dhe zëvendës-kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të BH-së.

Më 4 janar 2007, presidenca trepalëshe e BH-së lëshoi një dekret që emëronte Spiriç si kryetarin e këshillit të ministrave të BH-së. Ky veprim erdhi një ditë mbasi të shtata partitë që fituan zgjedhjet e 1 dhjetorit arritën një marrëveshje mbi kryeministrin e ri dhe ndarjen e karrigeve ministrore në kabinetin e tij, të formuar nga anëtarët e tre grupeve entike kryesore të kombit ballkanik -- boshnjakët, kroatët dhe serbët. Partitë ranë gjithashtu dakort mbi një strategji të përgjithshme, objektivat kryesorë të së cilës përfshijnë reformën kushtetuese, nxitjen e investimeve të huaja dhe përmbushjen e kërkesave për firmosjen e një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me BE-në, po ashtu dhe parakushtet për tu bërë pjesë e NATO-s.

"Unë do të bëj gjithçka që ta bëj çdo ditë më të mirë për këtë vend dhe qytetarët e tij,” premtoi Spiriç pas emërimit të tij zyrtar. “Bosnje-Hercegovina do të përballet me sfida të mëdhaja në katër vitet e ardhshme dhe unë kam ndër mend të flas më pak dhe të punoj më shumë.”

Duke folur para anëtarëve të Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit të BH-së para se ta votoni atë si kryeministrin e ri të vendit më 11 janar, Spiriç përmendi sigurinë dhe stabilitetin e BH-së dhe entiteteve të saj, zhvillimin ekonomik dhe proceset e integrimit në BE dhe NATO si prioritetet kryesore.

Spiriç është i martuar dhe ka dy fëmijë.