Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Boris Tadiç

President i Serbisë

(BBC News; China Daily)
photo

Boris Tadiç, udhëheqës i Partisë Demokratike (DS), u zgjodh President i Serbisë më 27 qershor 2004, në balotazhin e zgjedhjeve kundër kandidatit të Partisë Radikale Serbe Tomisllav Nikoliç.

Tadiç lindi në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, më 15 janar 1958. Ai përfundoi arsimin e mesëm në Beograd dhe u diplomua në psikologji në Universitetin e Beogradit.

Tadiç, anëtar i DS-së që më 1990, u bë Ministër i Telekomunikacionit në qeverinë e aleancës së forcave demokratike nga nëntori 2000 deri në qershor 2001. Tadiç mori Presidencën e DS-së në shkurt 2004.

Tadiç shërbeu si Ministër i Mbrojtjes i Serbisë e Malit të Zi nga marsi 2003 deri në prill 2004. Ai u bë i njohur për reformat e tij në ushtri dhe idenë e tij për të dërguar një kontigjent serb me mision në Afganistan, në një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet e vendit të tij me NATO-n.

Ai e vendosi Shtabin e Përgjithshëm drejtpërdrejt nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore dhe filloi një plan modernizimi që synon përgatitjen e forcave të armatosura për anëtarësimin në programin e NATO-s Partneritet për Paqe.

Tadiç, mbështetës i Kryeministrit serb të vrarë Zoran Gjinxhiç, ka premtuar të ndjekë hapat e parardhësit të tij në ndjekjen e një drejtimi demokratik, pro-Europian dhe të tregut të lirë për Serbinë.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje serbëve të "harrojnë politikat nacionaliste" të ish-Presidentit Sllobodan Millosheviç, të cilat e lanë vendin të izoluar nga pikëpamja ndërkombëtare.

Gjatë fushatës zgjedhore, Tadiç premtoi t'a çojë vendin e tij më pranë BE-së, duke u thënë votuesve se kjo ishte mënyra e vetme për të siguruar një jetë më të mirë për serbët.

Tadiç mbështeti bashkëpunimin me Perëndimin, një zgjidhje paqësore për problemin e Kosovës, vazhdimësinë e reformave dhe pranimin në BE brenda një kohe sa më të shkurtër. Presidenca e tij pritet të ndihmojë Serbinë që të vazhdojë në udhëtimin e saj drejt bashkimit me BE-në, programin Partneritet për Paqe dhe organizata të tjera Europiane dhe të NATO-s.

Përfaqësues të BE-së e përshëndetën fitoren e Tadiç. Kreu i misionit të BE-së në Beograd, Xhefri Baret, tha se Bashkimi është "mjaft i kënaqur" me zgjedhjen e Tadiç.

Tadiç është i martuar dhe ka katër fëmijë. Ai flet anglisht dhe frëngjisht.