Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Lamberto Zannier

Shefi i UNMIK

(AFP - 26/06/08; Qendra e Informimit të OKB-së -- 24/06/08 - 26/06/08; Xinhua - 21/06/08; AFP - 20/06/08; AKI - 18/06/08; UNMIK; NATO; Qeveria e Italisë)
photo

Diplomati veteran italian Lamberto Zannier morri detyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të ri të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mon dhe shefi i UNMIK në 20 qershor 2008. Ai pasoi Joakim Rueker të Gjermanisë, duke u bërë shefi i shtatë i UNMIK që kur u krijua misioni në vitin 1999.

I lidnur në 15 qershor 1954, në bashkinë e Fagagna në verilindje të Italisë, Zannier zotëron një titull doktorature në drejtësi nga Universiteti i Triestes.

Ai punoi për Zyrën Ligjore të FAO-s në Romë nga viti 1976 deri në vitin 1978, kur ai u bë pjesë e Ministrisë së Jashtme Italiane. Si një diplomat karriere, Zannier ka shërbyer në ambasadat italiane në Emiratet e Bashkuara Arabe, Austri dhe Hollandë.

Në vitin 1991, qeveria italiane e caktoi atë në NATO si shefin e seksionit të çarmatimit, kontrollit të armëve dhe sigurisë bashkëvepruese. Ai shërbeu në atë post deri në vitin 1997.

Zannier kryesoi negociatat lidhur me miratimin e Traktatit të Forcave të Armëve Konvencionale në Evropë nga vera e vitit 1998 deri në firmosjen e marrëveshjes nga kryetarët e shteteve dhe qeverive të OSBE-së në takimin e Stambollit në nëntor 1999.

Nga viti 2000 në vitin 2002, ai shërbeu si përfaqësuesi i përhershëm i Italisë në Këshillin Ekzekutiv të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike me qendër në Hagë, duke u marrë gjithashtu me çështjet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Në vitin 2002, Zannier u bashkua me OSBE-në si drejtor i Qendrës së Parandalimit të Konflikteve me qendër në Vjenë. Ai shërbeu në atë post deri në vitin 2006. Përgjegjësitë e tij përfshinë mbikqyrjen e operacionit të shtatë misioneve civile të OSBE-së në Ballkan dhe të dhjetëra të tjerëve në Europën Juglindore, rajonin e Kaukazit dhe Azisë Qendrore.

Para caktimit të tij si shef i UNMIK, Zannier punoi për Ministrinë e Jashtme Italiane, duke u marrë me aspektet operacionale dhe të politikbërjes të pjesmarrjes së vendit në Politikën Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ai pranoi detyrën e tij në UNMIK pesë ditë mbasi vendi miratoi kushtetutën e tij në 15 qershor 2008, rreth katër muaj mbas shpalljes të njëanëshme të pavarësisë nga Serbia në 17 shkurt.

Zannier arriti në Prishtinë pak ditë mbasi Ban propozoi një plan për të rekonfiguruar aktivitetet e UNMIK në përputhje me situatën e re në Kosovë dhe për të lejuar fillimin e misionit ligjor të afërsisht 2,000 trupave të drejtuara nga BE-ja.

"Unë e shikoj si një moment tranzicioni," Zannier tha gjatë një konference për shtyp mbas arritjes së tij në Prishtinë. "Janë një sërë gjërash për tu rregulluar. Nuk është vetëm rikonfigurimi i UNMIK, por janë një seri aktivitetesh që UNMIK po kryente të cilat duhet të rishikohen."

Duke folur për gazetarët mbas një takimi me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu disa ditë më vonë, ai u shpreh se janë kushtet e duhuar për të që të fillojë të eci përpara drejt zbatimit të planit të Ban, i cili pritet të përfundojë në fund të tetorit të vitit 2008.

Zannier flet rrjedhshëm italisht, anglisht dhe frengjisht dhe ka njohuri në spanjisht dhe gjermanisht.

Ai është i martuar dhe ka dy djem dhe dy vajza.