Zjarret marrin viktima anembanë Ballkanit

23/06/2008

NIKOSIA, Qipro -- Një polic qipriot vdiq të dielën (22 qershor) ndërsa përpiqej të shpëtonte banorët në një godinë nga një zjarr pylli që afrohej. Flaka nisi në rajonin malor Trodos dhe mbrriti me të shpejtë fshatin Sina Oros. Polici 25-vjeçar ishte jashtë shërbimit atë kohë. Së paku katër vetë pësuan plagë ndërsa përpiqeshin t'u iknin flakëve. Një zjarr javën e shkuar plagosi 12 policë dhe një civil, detyroi evakuimin e gjashtë fshatrave dhe shkaktoi dëme të mëdha prone. Qiproja ka përjetuar mot tepër të nxehtë gjatë javës së shkuar me temperatura që arrijnë 42 gradë Celsius.

Në Serbi, ndërkaq, tre vetë vdiqën dhe tetë të tjerë morën plagë të dielën kur flakët përfshinë një godinë banimi në qytetin Pançevo, në veri të Beogradit. Zjarrfikësit gjetën trupat e dy grave dhe një fëmije 2 vjeç në shkallët, pas shuarjes së zjarrit. Zjarri mund të jetë shkaktuar nga lidhje të gabuara elektrike.

Në Bullgari, tre vetë vdiqën në një zjarr në qendër të Sofjes të hënën. Viktimat qenë dy burra dhe një fëmijë 9 vjeç, nëna e të cilit mori disa djegie. Ajo është në spital në gjendje kritike. (Politika, Actualno - 23/06/08; ANP, Famagusta Gazette, AP, Tanjug - 22/06/08)