Policia serbe dhe malazeze godasin grupin e trafikut njerëzor

26/06/2008

BEOGRAD, Serbi -- Ministria e punëve të brendëshme njoftoi të mërkurën (25 qershor) se një operacion i përbashkët nga policia serbe dhe ajo malazeze ka goditur një rrjet të trafikut njerëzor. Operacioni gati dy-javor pasoi muaj hetimesh dhe kulmoi me arrestimin e gjashtë shtetasve serbë. "Ne kemi gjetur tre viktima të trafikut njerëzor, një vajzë serbe dhe dy gra nga Ukraina," thoshte deklarata. Rrjeti thuhej se u thoshte grave për t'i bërë kamarjere e guzhinjere në Mitrovicë, në Kosovën e veriut por më pas i detyronte ato të futeshin në prostitucion.

Në lajme të tjera të mërkurën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës tha se do të hetonte dyshimet e trafikimit të organeve njerëzore dhe trajtimin shnjerëzor në Kosovë. Anëtari zviceran i parlamentit Dik Marti do të përgatisë një raport mbi akuzat e bëra nga ish kryeprokurorja e OKB për krimet e luftës Karla del Ponte. Ajo thotë se viktimat e trafikimit të organeve qenë më së shumti serbë etnikë të rrëmbyer në Kosovë pas konfliktit të 1999.

Gjithashtu të mërkurën, autoritetet greke arrestuan tre gra të dyshuara se i takonin një grupi trafiku organesh. Të dyshuarat, një mjeke dhe dy biznesmene thuhet se mashtronin pacientët në spitalet greke në bërjen e transplanteve të veshkave në Indi. Çdo pacient paguante 60,000 euro. Mjekja thuhej se ngulmonte se transplantet qenë të domosdoshme megjithse pacientët qenë tepër të sëmurë për të duruar procedurat. Së paku dhjetë vetë u tha se vdiqën nga komplikacionet. Policia arrestoi një mjek indian disa muaj më parë. (Tanjug, RIA Novosti, In News, Kathimerini, Naftemporiki - 26/06/08, Council of Europe website, RIA Novosti, ANA-MPA, AP, B92 - 25/06/08)