26/08/2008
ZUBIN POTOK, Kosovë -- Qindra serbë të Kosovës u mblodhën të hënën (25 gusht) në Zubin Potok për të protestuar për ata që e quajnë si përpjekje për të imponuar një kufi midis Kosovës dhe Serbisë. Protestuesit kundërshtuan gjithashtu njohjen e EULEX, misionit të drejtuar nga BE në ish-provincën serbe. Kryetari i Bashkisë të Zubin Potokut, Slavisa Ristic tha se instalimi i kamerave video në linjën administrative midis Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim krijimin e kontrollit të doganave dhe një vijë kufitare shtetërore. Serbët e Kosovës nuk do ta lejojnë kurrë këtë, shtoi ai. Sidoqoftë një zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës tha se kamerat ishin atje për të ndihmuar kontrollin e trafikut.
Cilësia e jetës për serbët në Kosovë ishte një subjekt kryesor i diskutimeve të së hënës në Beograd midis zëvendës-shefit të UNMIK Nicholas Hayson dhe ministrit serb për Kosovën Goran Bogdanovic. Në takimin e tretë të këtij lloji me përfaqësuesit e UNMIK gjatë gjashtë javëve të kaluara, fokusi ishin çështjet e përditshme që përballet minoriteti serb i Kosovës në shtëpi dhe në vendin e punës. Mediat serbe njoftuan se çështjet e policisë dhe gjyqësorit ishin gjithashtu midis temave të diskutimit. (RTK, Telegrafi, Kohavision, Blue Sky, Tanjug, B92, Blic, AKI - 25/08/08)