Raportuesi i BE nuk do të bjerë në ujdi me Serbinë lidhur me Mlladiç

27/08/2008

BEOGRAD, Serbi -- Megjithë hapin e madh bërë nga ana e Serbisë me arrestimin e kreut politik serb boshnjak të kohës së luftës Radovan Karaxhiç, BE nuk do të lejojë përparim të mëtejshëm në integrimin e Serbisë deri sa ajo të arrestojë të kërkuarin për krime lufte Ratko Mlladiç, tha të martën (26 gusht) raportuesi i Parlamentit Evropian mbi Serbinë, Jelko Kacin. Përpara një vizite në Beograd, Kacin tha se pavarësisht nga bisedimet që ai mban në Serbi, raporti i tij mbi përparimin e vendit do të kërkonte përmbushjen e plotë të angazhimeve ndaj gjykatës së krimeve të luftës të Hagës. Zbatimi i i marrëveshjes së përkohshme të stabilizimit dhe shoqërimit midis Serbisë dhe BE fillon vetëm pas një vlerësimi të bashkëpunimit të vendit me Hagën. Kacin reagoi gjithashtu me skepticizëm ndaj një komenti nga nënkryeministri Bozhidar Gjeliç që sugjeronte se Serbia do të ishte gati të bashkohej me BE në 2014. Kacin tha se ishte tepër herët të thuhej mbi një datë hyrjeje të mundshme. (B92, Beta, Blic, Tanjug - 26/08/08)