05/09/2008
BEOGRAD, Serbi -- Partitë politike në parlament arritën një marrëveshje të enjten (4 shtator) për të mbështetur marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) me BE. Partia kryesore e opozitës, Partia Radikale Serbe (SRS) pranoi të mbështesë SAA pasi qeveria pranoi propozimin e saj për të amenduar projekt-ligjin e ratifikimit, tha nënkryetari i SRS Tomislav Nikoliç. "Ne nuk po ndryshojmë vetë marrëveshjen por ligji mbi ratifikimin do të përfshijë një detyrim për qeverinë serbe për ta interpretuar SAA në një mënyrë që Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë," tha Nikoliç.
Nënkryeministri Bozhidar Gjeliç tha se marrëveshja është një shenjë e një "konsensusi të ri kombëtar mbi integrimin në BE". Vetëm Partia Demokratike e Serbisë dhe Serbia e Re janë ende kundër miratimit të SAA. Ato argumentojnë se amendamenti i propozuar nga SRS nuk e detyron BE të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.
Në lajme të tjera të enjten, Gjeliç tha se beson se Komisioni Evropian (KE) do të zhbllokojë marrëveshjen e përkohshme të tregtisë me Serbinë në takimin e vet të 15 shtatorit. Ai përsëriti se një nga qëllimet e qeverisë mbetet shtimi i Serbisë në listën e bardhë Shengen deri nga fundi i vitit.
Më vete të enjten, komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn tha se hapat e ardhshme të Serbisë ndaj anëtarësimit në BE do të kërkojnë një vendim unanim nga të gjithë anëtarët e BE. Në një intervistë me TV B92, Rehn tha se pasi kryeprokurori i gjykatës së Hagës, Serge Bramertz të vizitojë Beogradin javën e ardhshme, KE do të shqyrtojë edhe një herë bashkëpunimin e Serbisë me gjykatën për të vendosur në se do të zbatojë marrëveshjen e përkohshme të tregtisë. Ai e përshkroi arrestimin e korrikut të ish kreut serb boshnjak Radovan Karaxhiç si "një masë të rëndësishme që BE duhet ta njohë". (Beta, Tanjug, B92, RTS, FoNet - 04/09/08)