Turqia do të miratojë strategji të re në luftën kundër terrorit

07/10/2008

ANKARA, Turqi -- Qeveria ka zënë të hartojë një strategji të re për të luftuar terrorizmin, tha të hënën (6 tetor) nënkryeministri dhe kryetari i Bordit më të Lartë të Kundërterrorizmit (TMYK), Çemil Çiçek. Masa pasoi sulmin e së premtes nga anëtarët e Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) që vrau 15 ushtarë turq. Masat e reja janë në axhendën e takimit tjetër të TMYK të enjten. Çiçek vuri në dukje kohën e sulmit, vetëm ditë përpara se parlamenti pritej të votonte mbi një propozim për të shtyrë autoritetin e ushtrisë për të nisur operacione ndërkufitare në Irakun e veriut, për një tjetër vit.

Të dielën, Turqia i kërkoi Shteteve të Bashkuara bashkëpunim më të gjerë në luftën kundër PKK. Ertugrul Apakan, nënsekretari i ministrisë së jashtme, u takua me ambasadorin e SHBA në Turqi Ross Wilson. Turqia u bëri thirrje gjithashtu autoriteteve të Irakut të arrestojnë përgjegjësit për sulmin e PKK dhe të parandalojnë incidente të ngjashme.

Ushtria turke thotë se do të vazhdojë operacionet ajrore "ndëshkuese" kundër pozicioneve të PKK në Irakun e veriut dhe në krahinën juglindore të Hakarit në Turqi. (Zaman, Milliyet, Anadolu news agency, Hurriyet, NTV, CNN Turk, Dogan news agency - 06/10/08