Forcat ajrore turke bombardojnë Irakun e veriut, vrasin militantë të PKK

10/10/2008

ANKARA, Turqi -- Avionët luftarakë dhe njësitë e artilerisë bombarduan bazat e Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Irakun e veriut duke vrarë një grup të madh militantësh të PKK, thanë forcat e armatosura të premten (10 tetor). Operacioni u zhvillua të enjten vonë, tha zëdhënësi ushtarak, gjeneral Metin Gurak, pa dhënë vendin dhe numrin e militantëve të PKK të vrarë. Ofensiva ishte e fundit në serinë e operacioneve ndëshkimore në Irakun e veriut në hakmarrje për një pritë të PKK një javë më parë që vrau 17 ushtarë turq.

Të enjten, ministria e jashtme turke tha se Ankaraja pret më tepër mbështetje nga autoritetet në Irakun e veriut dhe në BE për të luftuar PKK. Komisioneri i zgjerimit të BE, Olli Rehn dënoi sulmin e javës së shkuar të PKK, ashtu siç bëri kryeministri rajonal kurd i Irakut, Neçirvan Barzani.

Ndërkohë, policia kapi tre të dyshuar lidhur me sulmin e së mërkurës ndaj një mikrobuzi policie në Dijarbakir, Turqi, i cili vrau pesë vetë dhe plagosi 20 të tjerë. Policia po kërkon për një tjetër të dyshuar, që pretendohet se ka qenë përgjegjës për planifikimin e krimit. Të gjithë të dyshuarit pretendohet se janë anëtarë të PKK. (Zaman, Vatan, Milliyet - 10/10/08; CNN Turk, Anadolu news agency, Hurriyet, NTV - 09/10/08)