PIC paralajmëron Dodik të RS kundër kërcënimit të komunitetit ndërkombëtar

01/12/2008

SARAJEVË, Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) -- Ambasadorët e Bordit Drejtues të Këshillit të Zbatimit të Paqes (PIC) i dhanë mbështetje të plotë ndihmësit të parë të Përfaqësuesit të Lartë Rafi Gregorian në një deklaratë lëshuar të premten (28 nëntor) dhe paralajmëruan kryeministrin e Republika Srpska (RS) Milorad Dodik të mos kërcënojë komunitetin ndërkombëtar. Deklarata ishte në përgjigje të masës së Dodik për të mgritur një padi penale ndaj Gregorian dhe gjykatësve ndërkombëtarë në një gjykatë të BiH duke i akuzuar ata për komplot kundër RS. Kjo nga ana e vet pasoi një hetim në nivel shtetëror në financat e qeverisë së RS veçanërisht në një kontratë për të ndërtuar një godinë të re të RS me vlerë mbi 100 milion euro. Fillimisht, Dodik refuzoi t'u japë dokumentet e nevojshme hetuesve të nivelit shtetëror. Më pas ai e bëri këtë por tha se do të padiste Gregorian dhe zyrtarë të tjerë për prirje kundër RS. PIC tha se masa e Dodik është një orvatje për të penguar Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë nga përmbushja e plotë e mandatit të vet. "Milorad Dodik po përdor qartazi institucionet e RS dhe personelin për t'u përpjekur të trembë komunitetin ndërkombëtar," tha PIC. (Onasa, Dnevni Avaz, Glas Srpske, RTRS, SRNA - 28/11/08)