01/12/2008
PRISHTINË, Kosovë -- Krerët e Kosovës kundërshtuan të dielën (30 nëntor) çdo mundësi që forcat serbe të sigurimit të kthehen në Kosovë. Ato u larguan më 1999 pas marëveshjes së Kumanovës, një marrëveshje ushtarake midis Beogradit e NATO-s mbi tërheqjen e trupave dhe policisë jugosllave nga Kosova. Prishtina thotë se marrëveshja duhet të mbetet siç është duke argumentuar se Serbia ende përbën një rrezik për sigurinë dhe pacënueshmërinë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se çdo ndryshim i akordit është i papranueshëm. Kryeministri Hashim Thaçi tha se krerët serbë mund të flasin për zhvillmet në vendin e tyre por Kosova ka ushtrinë e vet, forcat e sigurisë dhe NATO-n. Komentet e tyre qenë në përgjigje të atyre të bëra nga presidenti serb Boris Tadiç. Në një intervistë me të përditshmen me bazë në Beograd, Politika të dielën, ai tha se Serbia ka provuar të jetë një faktor stabilizimi në rajon dhe se marrëveshja e Kumanovës meriton rishqyrtim.
Në lajme të tjera, Ramush Haradinaj rifitoi zgjedhjet të dielën si kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Partia shtoi gjithashtu në rradhët e veta botuesin Blerim Shala. Ai ka gjasë të marrë postin e nënkryetarit të partisë së bashku me vëllian e Haradinajt, Daut Haradinaj. Një ish zyrtar i OKB-së në Kosovë, Steven Schook, pranoi të bëhej këshilltar i kreut të AAK. (Koha Ditore, Zeri, Express, Kosova Sot - 01/12/08; TV 21, RTK - 30/11/08)