06/01/2009
NIKOSIA, Qipro -- Presidenti Demetris Kristofias dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat kanë bërë përparim të ndjeshëm në bisedimet e tyre mbi qeverinë e ardhëshme federale, tha përfaqësuesi i posaçëm i OKB Taje-Bruk Zerihun, pas takimit të dy krerëve të hënën (5 janar). "Ata arritën marrëveshje të plotë mbi çështjen e harmonizimit dhe bashkëpunimit midis qeverisë federale dhe shteteve përbërëse," u tha Zerihun gazetarëve. Ai shtoi se Kristofias dhe Talat janë gjithashtu "shumë pranë" konsensusit mbi çështjen e hierarkisë së normave. Më pas, si Kristofias dhe Talat pranuan se ishte bërë përparim. Ata takohen përsëri në 12 janar.
Në lajme të tjera të hënën, policia qipriote kapi kriminelin më të kërkuar të vendit, Antonis Kitas, në një bastisje të raportuar në një shtëpi në Paralimni. Kitas, i njohur gjithashtu si "Al Kapone" u arratis nga një spital privat në Nikosia në 12 dhjetor. Ai bënte një burgim të përjetshëm për përdhunimin brutal dhe vrasjen e dy të huajve në 1994. Ikja e tij bëri që ministri i drejtësisë Kipros Krysostomides të jepte dorëheqjen në mes të dhjetorit. (CNA, Famagusta Gazette, Naftemporiki, Anadolu news agency, Hurriyet, Zaman, Xinhua - 05/01/09)
06/01/2009
ATHINË, Greqi -- Media lokale raportoi të hënën (5 janar) se Greqia ka dërguar dy nota proteste në ministrinë e jashtme të Turqisë lidhur me një mosmarrëveshje të re mbi kufirin e hapësirës ajrore në detin Egje. Turqia thotë se helikopterët grekë duke fluturuar mbi ishullin e vogël Farmakonisi të Dodekanezeve, shkelën hapësirën e saj ajrore në dy raste të veçanta javën e shkuar. Kontrolli i mbrojtjes ajrore turke paralajmëroi pilotët grekë se kishin hyrë në në Rajonin Turk të Informacionit të Fluturimit dhe u kërkoi atyre të lënë menjëherë zonën. Greqia megjithatë, pretendon se zona mbi Farmakonisin i takon hapësirës së saj ajrore kombëtare. Presidenti grek Karolos Papulias kundërshtoi akuzat e Ankarasë dhe e quajti Turqinë një "fqi grindavec". Presidenti vendosi të bëjë Agathonisin, një tjetër ishull i Doodekanezeve pranë Farmakonisit, një nga ndalesat në turneun e tij në të gjithë vendin për të kremtuar festat e Epifanisë të martën. (Ta nea - 06/01/09; Express, Kathimerini - 05/01/09)
06/01/2009
TIRANË, Shqipëri -- Ministria e jashtme u kërkoi të hënën (5 janar) shqiptarëve etnikë në Kosovë të rrinë të qetë dhe të "shmangin provokimet", pas dhunës së fundjavës në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës, Kosovë. Në një deklaratë, ministria thoshte se kishte besim se KFOR, Shërbimi Policor i Kosovës dhe misioni EULEX i BE janë "të aftë t'i përgjigjen çdo kërcënimi ndaj sigurisë së Kosovës". Partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS) dënoi gjithashtu dhunën në Mitrovicë. Sekretarja e PS për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade tha" "Pakica serbe duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj evropiane është në shtetin e Kosovës."
Më vete të hënën, presidenti serb Boris Tadiç i kërkoi OKB dhe BE të forcojnë masat që garantojnë sigurinë e serbëve që jetojnë në Kosovë, duke i përshkruar ata si pjesën më "vulnerabël" të popullsisë atje. Ai akuzoi gjithashtu forcat ndërkombëtare për mos reagimin siç duhet ndaj serisë së fundit të incidenteve në veri të Kosovës. Në notën e tij për Këshillin e Sigurimit të OKB, sekretarin e përgjithshëm të OKB Ban Ki-mun dhe presidencën çeke të BE, Tadiç thoshte: "Unë këmbëngul se përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar duhet të ngrenë nivelin e sigurisë, gjë që është përgjegjësia e tyre dhe duhet të pengojnë sulmet kundër serbëve." (AFP, Klan, Alsat, Top Channel, Top News, RTS, Beta, B92 - 05/01/09)
06/01/2009
PRISHTINË, Kosovë -- Qeveria caktoi 100,000 euro të hënën (5 janar) për pronarët e pronave të djegura gjatë trazirës etnike të fundjavës në Mitrovicën e veriut. Nënkryeministri Hajredin Kuçi tha se masa ka për qëllim t'i bëjë pronarët të rihapin biznesin. Duke përshëndetur masën, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i kërkoi qeverisë të forcojë praninë e policisë në veriun e mbizotëruar nga serbët për të penguar incidentete e ardhëshme midis shqiptarëve dhe serbëve. Ai do që të hapen atje nënstacione të përherëshme të policisë. (Koha Ditore, Zeri, Kosova Sot, Express - 06/01/09; RTK, Telegrafi - 05/01/09)
06/01/2009
ANKARA, Turqi -- Ministri i jashtëm Ali Babaçan kërkoi të hënën (5 janar) ngritjen e një grupi ndërkombëtar monitorimi për të garantuar një zgjidhje frutdhënëse për konfliktin e Gazës dhe tha se Turqia është e gatëshme të kontribuojë në një mision të tillë. "Ne mendojmë se çdo zgjidhje duhet të garantohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe ka nevojë për një grup mbikqyrësish ndërkombëtarë në mënyrë që çdo zgjidhje të jetë e qëndrueshme," i tha Babaçan një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij sirian Valid al-Muallem.
Gjithashtu të hënën, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan foli në telefon me homologët e tij rus, britanik dhe italian, Vladimir Putin, Gordon Braun dhe Silvoi Berluskoni për të diskutuar ofensivën ushtarake në vazhdim të Izraelit në Gaza. Ata diskutuan gjithashtu problemet në dhënien e ndihmës humanitare në rajon. Erdogan i informoi ata për turneun e tij javën e fundit në Lindjen e Mesme, me qëllim t'i jepet fund dhunës në Gaza. (Vatan - 06/01/09; Anadolu news agency, AP, Hurriyet, Zaman, NTV, CNN Turk - 05/01/09)
06/01/2009
SARAJEVË, Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) -- Presidenca tre-palëshe njoftoi të hënën (5 janar) plane për të dërguar një kontigjent të vogël ushtarak të bashkohet me misionin e Forcës së Ndihmës së Sigurisë në Afganistan më pas këtë vit. Një total prej dhjetë oficerësh do të bashkohen me kontigjentet gjermane e daneze në vend. "Vendimi, i cili është subjekt i miratimit nga parlamenti, do të jetë një tjetër hap në integrimin evro-atllantik," vuri në dukje një deklaratë e përbashkët. (AFP, Xinhua, Dnevni Avaz, Fena - 05/01/09)
06/01/2009
BEOGRAD, Serbi -- Partia më e re e vendit , Partia Progresive Serbe (SNS) formuar nga ish nënkryetari i Partisë Radikale Serbe Tomislav Nikoliç, nuk ka plane të marrë pjesë në një riorganizim të mundshëm qeveritar, tha Nikoliç të hënën (5 janar). Ai shtoi se partia preferon të mbetet në opozitë. Ka rritje të zërave rreth ndryshimeve të mundëshme qeveritare për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve midis G17 Plus dhe parterëve të saj qeverisës. G17 plus u grind me Partinë Demokratike dhe partitë e vogla së pari për buxhetin e 2009 dhe më pas mbi një marrëveshje të sektorit energjitik të nënshkruar me Rusinë në fund të dhjetorit, që G17 Plus thotë se është e dëmshme për Serbinë. (B92 - 06/01/09; Beta, RTS, Blic - 05/01/09)
06/01/2009
SOFJE, Bullgari -- Zyrtarët e doganës kapën 35.5 kg heroinë të hënën (5 janar) në një makinë me targa hollandeze shoferi i së cilës thuhet se kishte në plan të kalonte nëpër Serbi e të vazhdonte për në Evropën Perëndimore. Autoritetet arrestuan shoferin, një shtetas turk pasi konfiskuan drogën që kishte, në kalimin kufitar të kalotinës në kufirin bullgar-serb. Policia kapi një total prej 1,1 ton heroinë në Bullgari vitin e kaluar. (Darik, Standart, Makfax, MIA - 05/01/09)
06/01/2009
ATHINË, Greqi -- Policia tha të hënën (5 janar) se një armë e përdorur për të qëlluar një polic të ri në Atrhinën qendrore, i shpuri hetuesit tek grupi majtist i terrorit Lufta Revolucionare. Herët të hënën, njerëz të armatosur hapën zjarr ndaj policëve të trazirave duke plagosur rëndë njërin prej tyre. Provat treguan se Lufta Revolucionare kishte përdorur një armë në prill 2007 për të sulmuar një stacion policie, tha policia. Grupi ekstremist doli pasi policia shpërbëri grupin majtist terrorist 17 Nëntori në 2002. Lufta Revolucionare mori përgjegjësinë gjithashtu për një sulm ndaj ambasadës së SHBA në Athinë në janar 2007. Sulmi i së hënës ngjalli frikë për rishfaqjen e terrorizmit të majtë, ndonse nuk pati pretendim të menjëhershëm të përgjegjësisë. (Ethnos, Eleftheros typos, Ta nea, Vima - 06/01/09; Kathimerini, In.news, Naftemporiki, ANA-MPA, AP, Xinhua - 05/01/09)
06/01/2009
TIRANË, Shqipëri -- Kjo javë e parë e vitit të ri ka qenë ka qenë e rrezikshme përgjatë disa rrugëve në Shqipëri. Sipas raporteve të medias të hënën (5 janar), 21 aksidente automobilistike kanë vrarë dy vetë dhe kanë plagosur 28, tetë nga të cilët në gjendje të rëndë. Autoritetet thonë se aksidentet qenë kryesisht të lidhura me alkoholin. (Shqip - 06/01/09; Top Channel, Alsat, News 24 - 05/01/09)